Situata në veriun e Kosovës, e hapi luftën për pushtet?!

Opinione

Situata në veriun e Kosovës, e hapi luftën për pushtet?!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 31 maj 2023 Në ora: 19:23
Sherif Ramabaja

Si duket të etshmëve për pushtet u erdhi momenti. Veriu u ndez. Kurti kundër SHBA, EU dhe perëndimit. Kosova me veprimet e saja të papërgjegjshme, po sanksionohet. Kurti rrezik për vendin. Kurti ta ofroi dorëheqjen etj.

Pra të etshëmit për pushtet, do të gjenin zgjidhjen. Ne duhet t´i dëgjojmë të mëdhenjtë. Ne duhet të firmosim ashtu siç na thuhet, përndryshe do të humbim edhe më shumë. Ne jemi të vegjël.

Njëri do ta firmoste autonominë dhe kthimin nën Serbi. Tjetri do të firmoste  një republikë në kuadër të Serbisë, kurse tjetri do të firmoste që të shkoi veriu. Dhe kushedi se si do të firmoste tjetri, tjetri dhe tjetri.

Shqiptarët para 200 vitesh nuk firmosnin, po u grabiteshin trojet. Pas Lidhjes së Prizrenit, Kongresit të Berlinit, Konferencës së Londrës etj. nuk firmosnin por prapë trojet shqiptare ishin plaçkë dhe i ndanin mes vete ashtu si donin.

 Pas Luftës së Dytë Botërore nuk e firmosën, po prapë ua morën Kosovën, kurse tash prapë e njëjta situatë ?!

SHBA, EU dhe perëndimi po luftojnë që ta përfitojnë dhe ta ndajnë Serbinë nga Rusia, si duket duke e sakrifikuar Kosovën.

Bosnjës i premtuan paqe dhe zgjidhje, por Republikën Serbe ia lanë “dhuratë”  duke e paralizuar funksionimin e shtetit.

Për t´u ikur problemeve me Serbinë, Kosovës po i bëhet presion për Asociacionin. E kishin problem që Kosova ta pranonte këtë kërkesë, sepse tash do të tentojnë që t´ia imponojnë edhe me kompetenca ekzekutive.

Shtrohet pyetja, deri ku mund të bartë Kosova? Deri kur do t´iu nënshtrohet apetiteve serbe? Deri kur do të sakrifikoi për ruajtjen e paqes. Deri kur do të bëjë kompromise në dëmin e vetë.

Apetitet serbe nuk kanë të ndalur as para 200 viteve e as sot, e nuk do të kenë as nesër. Vija e kuqe e ka arritur kulminacionin. Dikur dikush duhet thënë fjalinë: çka është mjaft, është mjaft.

 Kroacia pas çlirimit e mori situatën vetë në dorë, sepse edhe ata e dinin se me serbët ndryshe nuk ia dalin.

Edhe KFORI më në fund e kuptoi, kësaj radhe e provoi në lëkurën e vetë. Brengosëse janë figurat politike në Kosovë, të cilët me padurim e presin momentin, mos u erdhi dita, që ta rrëmbejnë pushtetin.

Nuk duhet të harrojnë se populli ka sy e veshë. Në zgjedhjet e ardhshme, mund  ta pësojnë edhe më keq.

Marrëdhëniet me SHBA, EU dhe perëndimin duhet ruajtur, por kur preket interesi kombëtar, duhet të luftosh që ta mbrosh pozicionin tënd.

Ish presidenti Rugova ka qenë paqësor dhe person i durueshëm, por kur i ka ardhur puna që s´ka kah ia mban tutje, tregojnë se e grushtonte tavolinën.

Kurti duhet të dijë, t´i ruaj miqtë dhe ta mbrojë pozicionin e Kosovës, përndryshe jemi të humbur.

Cili interesin personal e ve para atij kombëtar, do të dënohet me votën e popullit. Nëse duam që Kosova mos ta pësoi si Bosnja, duhet të qëndrojmë të bashkuar, përndryshe do ta pësojmë edhe më keq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat