Letër e hapur: Ragmi Mustafës e Ardita Sinanit

Opinione

Letër e hapur: Ragmi Mustafës e Ardita Sinanit

Arben Mehmeti Nga Arben Mehmeti Më 9 korrik 2024 Në ora: 22:51
Ragmi Mustafa dhe Ardita Sinani

Larg me trup por me shpirt gjithnji afër Luginës së Preshevës, si një i ri, vendosa të shkruaj këtë “letër të hapur” për t’ju shprehur disa nga shqetësimet e shumta që kam rreth gjendjes aktuale në vendin nga ku, para disa viteve, u detyrova të largohem.

Në qershorin e këtij viti, më saktësisht më 02 qershor, në Preshevë sikur edhe në shumë komuna të tjera në Serbi u mbajtën zgjedhjet lokale, për tu krijuar mëpas edhe pushtetet të cilat do të duhej të drejtoheshin, për katër vitet e ardhshme, nga subjektet politike garuese në secilën nga këto komuna.

Në këto zgjedhje, në komunën e Preshevës nga ku kam rrënjët edhe unë, garuan gjashtë lista zgjedhore shqiptare dhe një serbe. Pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve (duke përfshirë edhe rivotimin në një vendbanim) fitues i tyre doli Partia për Veprim Demokratik, e cila morri 11 mandate këshilltarësh, pasuar nga Partia Demokratike Shqiptare me 9 sosh, Alternativa për Ndryshime me 7, Lëvizja për Reforma me 6, Aleanca për Luginën me 3 dhe me nga 1 mandat të këshilltarëve dolën Unioni Demokratik Shqiptar dhe Koalicioni për Preshevë i partive serbe.

Mirëpo, edhe pas më shumë se një muaj nga këto zgjedhje, partitë politike në Preshevë nuk po arrijnë të merren vesh në mes vete, derisa Presheva dhe e tërë Lugina po përballen me shumë probleme çdo ditë. Serbia po vazhdon të pasivizoj adresat e shqiptarëve, të rinjët e Luginës po ikin për një jetë më të mire në Perëndim, sepse diplomat e tyre nuk pranohen nga Serbia, si duket shpresa e tyre ka vdekur. Këto heshtje dhe gabime tuaja Serbia po i shpërblen me provokime, siç është së fundmi edhe vendosja e kryqit gjigant në vendbanimin Çukarkë, për të provokuar shqiptarët e Luginës dhe për ti nxitë ata që të bëhen më radikal, e të cilët ju besuan juve dhe ju votuan.

Në vitin 2019, kur Serbisë iu dha e drejta për libralizim të vizave dhe kur Gjermania u mundësoi njerëzve nga vendet e Ballkanit perëndimorë të punojnë të lirë në Gjermani, Lugina e Preshevës filloi me të madhe të zbrazet, sidomos të rinjtë e Luginës u larguan për një të ardhme më të mirë.

E ju çfarë bëtë apo çdo të bëni në këtë drejtim ? Pse në vendlindjen time po ndodhin këto gjëra ? Ku mbetën premtimet tuaja ? Pse nuk hapni vende pune për këta të rinjë, vende pune të cilat i premtuat me të madhe në fushatat tuaja, apo ato i ruani vetëm për dhondurrët dhe të afërmit tuaj ? Ku është arsimi, infrastruktura, ekonomia, ku janë fabrikat, ku është ndryshimi, që aq shumë e pritëm ? Çfarë bënë partitë politike për diasporën dhe për të rinjtë e Luginës së Preshevës ?

Partia më e madhe PVD, me mbështetjen e Kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurtit, në fushatë doli me moton: "Me mendje dhe zemër", ndërsa PDSH, me mbështetjen e pushtetit të Beogradit (sepse Kryetarin e saj Ragmi Mustafa në krye të Organit të dhunshëm (kështu e ka quajtur gjithmonë vetë ai) e solli Qeveria e Serbisë) doli me moton: "Ne e dëshmuam".

Ne, të gjithë qytetarët, respektivisht votuesit në komunën e Preshevës, menduam se vërtetë do të kemi një ndryshim, do të përmirësohet gjendja, do të mendoj më në fund dikush për ne. Por jo, kjo nuk po ndodhë, sepse ju tani nuk jeni duke “dëshmuar” asgjë z.Ragmi Mustafa, ju vetëm po dëshmoni se sa keni dëshirë dhe oreks për karrigen e të parit të Komunës.

Ju, i nderuari Kryetar i Organit të dhunshëm të Preshevës, Ragmi Mustafa, nëse do të ishe interesuar që të bisedosh me të rinjtë se çfarë ata mendojnë, nuk e besoj se do të mund të gjesh ndonjë që do të thotë se e sheh të ardhmen këtu! Jetën e vështirë të tyre e kanë bërë pikërisht qeverisjet e këqija, të udhëhequra nga ju, por jo vetëm, pastaj jotransparenca, korrupsioni, nepotizmi, papunësia, keqpërdorimi i parasë publike, mosnjohja e diplomave, problemi me tekstet shkollore, moszhvillimi industrial-ekonomik,…

Po ju pyes ju z. Mustafa, si të parin e Komunës (aktualisht me vendim të Beogradit) ku janë premtimet e juaja të bëra në fushatë, se do të largoni të keqen nga Presheva, se do t’i ndëshkoni të gjithë ata që e dëmtuan komunën, buxhetin dhe në përgjithësi popullatën ? Po ju pyes z. Mustafa çfarë dëshmuat apo çfarë po dëshmoni ?

Ju jo vetëm që nuk dëshmuat asgjë nga premtimet në fushatë, por po bëni të kundërtën.

Ju z. Mustafa para fushatës, pas ardhjes në krye të Organit të dhunshëm të Preshevës, në paraqitjet tuaja publike, në televizionin mbështetës tuajin, të gjithë ata që nuk janë pajtuar me politikën tuaj brenda partiake e sidomos nuk janë pajtuar me qëndrimin tuaj në krye të PDSH-së dhe mëpas janë larguar nga ju, duke krijuar subjekte të reja politike (Lëvizjen për Reforma të Sami Salihut dhe Aleancën për Luginën të Ilir Sadriut) i quajtët të gjithë ata pjellë e Rusisë.

Ndërsa më 02 korrik zyrtarisht ftoni paturpësisht LR dhe Sami Salihun që të krijoni shumicë të re në Kuvendin komunal të Preshevës dhe poashtu ftoni edhe APN për një gjë të tillë, duke ndryshuar tërësisht konceptin apo duke shpalosur plotësisht egon tënde për tu bërë i pari i Komunës duke ua dërguar ftesën me emërtimin Alternativa për Ndryshime, e që asnjëherë më parë që nga viti 2016 e këtej nuk e keni emërtuar kështu sepse për ju ata ishin gjithmonë Alternativa për Mashtrime. Tani po ju pyes kush është mashtruesi këtu, ata apo ju ?

Janë ata mashtruesit që për disa vite ju lane në opozitë apo jeni ju mashtruesi, sepse ju bashkë me PVD dhe të tjerë nuk zgjidhnit mjete për t’i larguar ata nga pushteti local, nga Këshilli kombëtar e bile edhe nga Parlamenti republikan.

Tani, gjatë periudhës deri sa zhvillonit bisedime me PVD-në, për bashkëqeverisje, tinëzisht pas shpine ftoni për formacion të ri bashkëqeverisës, vetëm e vetëm që të vini në krye të Komunës. A nuk është kjo tradhëti e çka jo tjetër ?

Mendoj se është koha e duhur që ta ndaloni demagogjinë dhe ritualin e përditshëm të përsëritjes së fjalëve akuzuese boshe kundër oponentëve dhe seriozisht të mendoni për një zhvillim të qëndrueshëm të Preshevës, sepse vota e besuar e qytetarit të ngarkon me këto përgjegjësi. Në të kundërtën, është koha të filloni e të mendoni se mos vallë i keni bërë një padrejtësi dhe e keni ngarkuar veten me një barrë që nuk mund ta bartni dot nga pesha që ka ! Edhe një herë, uroj të fillosh të reflektosh shumë shumë pozitivisht !

Nga ana tjetër edhe Ardita Sinani “me mendje dhe zemër” po tenton ta marrë karrigen e pushtetit dhe përderisa ju nuk bieni dakord për karrigen e të parit të Komunës, hallet e popullit dhe problemet e qytetarëve nuk po gjejnë zgjidhje për asnjë nga premtimet tuaja mashtruese.

E nderuara zonja Ardita Sinani, çfarë ndodhi me ju si këshilltare e Kryeministrit Kurtit ? Çfarë ndryshuat në Luginë të Preshevës, që nga emërimi juaj si këshilltare e Kryeministrit?. Motoja juaj “me mendje dhe zemër” dha një motiv të fortë në Preshevë, por kur ndalem dhe mendoj se çfarë bëri Partia për Veprim Demokratik me zemër për Luginën, pyes veten a thua vallë çfarë bëtë ? A mos vallë hapët ndonjë fabrikë me zemër? A mos e ndaluat ikjen e rinisë ? A mos bëtë njohjen e diplomave nga ana e Serbisë? A mos sollët investitor të huaj me zemër për Preshevën? Ku mbetën ata miliona euro të Qeverisë Kurti? I investuat në vende të duhura me zemër apo ku mbaruan?

Të gjitha këto më bënë që të lutem e të pyes veten: “O Zot, pse kaq të rinjë të shkolluar e diplomuar punojnë në vende të huaja?

Pse duke e pasur një rini të mirë dhe të shëndoshë, në vend që t’i shërbejmë atdheut tonë, vendit tonë për njē të ardhme më të mirë, ne po detyrohemi të punojmë në vende të huaja”! Vallë, ç’është ky mallkim!

Autori - gazetar në diasporë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat