A ia vlen që hapja e Urës të ngritet në nivelin ekzistencial të tipit hamletian 'to be or not to be...'? A na duhet një urë e hapur tërësisht (tashmë është gjysmë e hapur) pa përkrahjen e aleatëve që e çliruan Kosovën dhe e ndihmuan atë t'i marrë këmbët për më se dy dekada, ndonjëherë edhe duke u pozicionuar pakënaqshëm për shqiptarët e Kosovës.
Ura mbi Ibër është mbyllur dy dekada më parë në rrethana të caktuara, qoftë për shkak të keqmenaxhimit nga udhëheqja shqiptare, apo për shkak të dredhive të stërholluara të njërit ndër shtetet e rëndësishme të NATO-s, që tani po kujdeset t'ia shtojë Serbisë fuqinë sulmuese duke i shitur aeroplanë luftarakë me pretendimin naiv se me këtë veprim po e afron Serbinë drejt Evropës.
Të merresh tani me rrethanat që e mbyllën Urën, është humbje kohe.
Si politika, ashtu dhe opinioni i gjerë publik kosovar, rëndomë së bashku ngërthehen në çështje të (pa)rëndësishme duke u nisur nga gjykime të llojit, 'kemi apo nuk kemi të drejtë, ka apo nuk ka diplomacia perëndimore të drejtë, kanë apo nuk kanë përfaqësues të ndryshëm të drejtë të na qyshkojnë gjithnjë e më shumë për çështje që edhe një fëmijë mund t'i zgjidhë?'
Padrejtësitë diplomatike janë të pafund dhe ato nuk ndërlidhen vetëm me shqiptarët.
Për problemin e Kosovës u desh të kalonte rreth një shekull që të krijoheshin rrethanat e përmirësimit të një pjese të një padrejtësie të madhe. A ia vlen tani të luhet me këto rrethana që lirisht mund të thuhet se janë të papërsëritshme. Trimoshat, qoftë nga radhët e politikanëve kosovarë, apo nga shtresa të tjera të shoqërisë kosovare, që me lehtësi dhe pa takt zgjedhin të kundërshtojnë madje dhe ata me merita kryesore për çlirimin dhe themelimin e Kosovës si shtet të pavarur, janë tepër të dëmshëm, madje mund të dalin dhe shumë të rrezikshëm. Këto kundërshtime janë posaçërisht të pamenduara mirë kur bëhen me qëllim të përfitimeve politike dhe shoqërohen me zhurmën e suksesit, gjë që tërheq sidomos mendjelehtët dhe kokëboshët që gjithmonë janë në numër të mjaftueshëm për të përcaktuar edhe fitimtarët politikë.
Udhëheqja aktuale ka ndërmarrë një numër veprimesh pa u konsultuar në masë e mënyrë të duhur me aleatët. Madje ka shkuar aq larg në këtë drejtim sa t'i vendosen Kosovës sanksione nga Bashkimi Europian! Këto veprime në një kohë delikate, edhe pse të drejta, më së paku duhet të trumbetohen si suksese të mëdha. (Sukseset ndonjëherë i ngjajnë rakisë - një gotë e tepruar të deh.)
Çështja e hapjes së plotë të Urës është dashur të parapërgatitej jo vetëm me konsultime dhe koordinime me ndërkombëtarët, por edhe duke përgatitur opinionin, sidomos atë ndërkombëtarë, se shqiptarët e Kosovës, si popull shumicë, tashmë e kanë arritur nivelin që t'u hapin plotësisht rrugën serbëve në veri për integrim të plotë në shtetin e Kosovës.
Këtu është dashur të theksoheshin vetitë e një qytetarie të nivelit më të lartë të atyre që kanë përjetuar tmerre të paimagjinueshme nga shteti serb sidomos dy dekada e gjysmë më parë.
Shumë kohë më parë, është dashur që butësisht dhe urtësisht t'u kërkohej diplomatëve amerikanë dhe europianë dhe emisarëve të tyre të mos u drejtohen autoriteteve kosovare me deklarata të tipit, 'mos e bëni këtë apo atë, se serbët e tensionojnë situatën, se reagon Serbia'. Deklratat e këtij tipi, për fat të keq, tashmë kanë shkaktuar probleme që kanë mundur ta rindezin gjithë rajonin. Deklaratat e këtij tipi të ardhura qoftë nga Boreli, e sidomos Lajçaku, dhe të stërpërsëritura nga zëdhënësi më joelokuent Stano, mund të thuhet se janë burimi i ndërmarrjes terroriste serbe në Banskë.
Ka mundësi që ky akt terrorist të ketë pasur gjithashtu lidhmëri edhe me aktin terrorist të Hamasit në Izrael që ndodhi pak pas Banskës. Ndezja e fitilit në Gaza pati sukses, kurse ky i veriut të Kosovës, fatmirësisht, u pengua. (Do t'ju kujtohet se disa javë para aktit terrorist serb në Banskë, Vuçiqi kishte paralajmëruar vizitë në Kosovë.)
Momentalisht, vetëm një shtet është i interesuar për konflikte të tjera në Europë e më gjerë, e ky shtet është Rusia, të cilës Serbia i rri në gatishmëri t'ia bëjë këtë nder kurdo që t'i kërkohet. Kësaj situate po i kontribuon edhe diplomacia perëndimore, amerikane dhe europiane, që po vazhdojnë ta ushqejnë Serbinë me karota pa ia treguar as edhe një herë të vetme kunjin.
Këto situata, shteti serb i shfrytëzon me mjeshtri. Ka arritur në atë pikë sa është në gjendje të alarmojë gjithë opinionin ndërkombëtar qoftë edhe për një 'shkrepje prapanice' të pavullnetshme të shqiptarëve të Kosovës. (Më falni për shprehjen.)
Problemi i Kosovës është i thjeshtë dhe ndërlidhet me tri luftëra që Serbia i nisi në hapësirën e ish-Jugosllavisë, të gjitha duke pasur për bazë gjoja interesimin për serbët që do të mbeteshin brenda njësive të tjera federale - i njëjti interesim që ka Rusia ndaj rusëve të mbetur në Ukrainë. Në këto ndërmarrje, Serbia nuk ia doli në Kroaci, por pati sukses në Bosnjë, ndërsa Kosovën po e mba varur në përpjekje per të siguruar të drejtën e përhershme të përzierjes në punët e brendshme të saj. Dhe kësaj pjesërisht ia ka dalë falë pozicionimit të diplomacisë perëndimore, që po përpiqet ta mbajë afër liderin serb Vuçiq duke e joshur me investime dhe premtime të integrimit në BE. Sado që Vuçiqi i mirëpret dhe i shfrytëzon investimet për të qenë forcë dominuese në Ballkan, interesimi i tij, njësoj dhe i mikut të tij shqiptar, Edi Ramës, për integrim në BE është zero. Integrimi në BE nënkupton dhe shkatërrimin e 'mbretërive' të tyre të ngritura me metoda të kombinuara të papranueshme, edhe pse vetë BE ka zënë t'i ngjajë një klubi të padisplinuarish.
Si gjithmonë, lobimi vazhdon të jetë i rëndësishëm dhe i kushtueshëm. Në vorbullin e tregtimit të influencave, ku rolin, pothuaj, kryesor e ka paraja, Kosova sot është tepër e dobët në krahasim me Serbinë. Në këtë aspekt Kosova është dashur të riorganizohej me kohë duke ushqyer lidhje të vjetra e duke krijuar të reja. Sado me vlerë të jenë mbështetësit e vjetër, nuk mund të presësh që ata të kenë përjetësisht qendrim kundërshtues ndaj Serbisë.
Të gjitha argumentet janë në anën e Kosovës - dhe sado që kjo ia lehtëson asaj deri diku pozitën në fushën e lobimit, vetëm pozicionimi i drejtë nuk është garantues i suksesit. Nevojitet punë e pandërprerë dhe planifikim i hollësishëm ku të përfshihen sidomos ambasadat e Kosovës, çfarë kemi mjaftueshëm nëpër botë, në kombinim me ringjalljen dhe rimobilizimin e diasporës. Diaspora ka zënë të pasivizohet, por edhe të lihet pasdore, fill pas viti '99. Riaktivizimi i saj në nivelet e viteve '90 të shekullit të kaluar nuk është i lehtë, mbase është i pamundshëm, por duhet të bëhen përpjekje në këtë drejtim.
Roli i diasporës kosovare në vitet '90 ka tejkaluar çdo organizim tjetër në Kosovë në aspektin e identifikimit dhe të përvetësimit të miqve, që në fund përcaktuan fatin e Kosovës.
Qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës së pavarur, si dhe parti të ndryshme politike, janë përqendruar se si ta përfitojnë diasporën për përfitime politike - ky është gabim i pafalshëm. Diaspora sot më së paku duhet të merret me politikën kosovare. Është shumëfish më me rëndësi që diaspora të involvohet në organizime politike dhe institucione të rëndësishme shtetërore të vendeve ku ponojnë e veprojnë, sesa të humbin energji duke nxehur gjakun rreth politikës kosovare, rreth këtij a atij politikani, kësaj apo asaj partie politike. Vetë politikanët kosovarë/shqiptarë e kanë vendosur vetën në pozicione absurde duke e ndërlidhur fatin e vet politik me këtë apo atë parti në shtetet e botës perëndimore.
Ka, megjithatë, ndonjë që e ka përfeksionuar zanatin e financializimit të influencës politike apo të blerjes së saj me metoda të kombinuara që t'ia dalin të rrinë mbi ujërat e turbullta politike.