Ajo që ndodhi sot në Parlamentin e Kosovës është turpi më i madh dhe mjerimi më i dhimbshëm që mund t’i ndodhë shtetit të Kosovës pas çlirimit nga Serbia dhe Shpalljes së Pavarësisë.
As deputetët e Parlamentit të Serbisë apo të Rusisë nuk do të vepronin ashtu siç vepruan deputetët që i thonë vetes Shqiptarë dhe që pretendojnë të jenë përfaqësues të këtij populli të manipuluar.
Koha po tregon se ky soj njerëzish pa karakter, pa dinjitet, pa moral, pa ideale dhe pa asnjë vlerë tjetër, janë duke shkatërruar këtë shtet të lodhur dhe të rraskapitur nga zhvatja e politikanëve, të cilët sot i bënë obstruksion ndërtimit të institucioneve të reja.
Këta të ashtuquajtur deputetë nuk meritojnë as të shkelin në kryeqytetin e Prishtinës, e lëre më t'i përfaqësojnë qytetarët që po tradhtohen përditë nga mashtrimet e kësaj klase të mjerë politike.
Tragjikomedia që u manifestua në mbledhjen e sotme është një nga turpet më të mëdha që mund t’i ndodhë një shoqërie, një populli apo një kombi. Shumë herë kemi shkruar se kjo politikë adoleshente, e papjekur, e padenjë dhe e dështuar është bartësja kryesore e të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur Kosovës.
Po të kishin sadopak moral, turp, apo ndjenjë përgjegjësie, të gjithë ata deputetë që nuk votuan sot do të duhej të turpëroheshin para fëmijëve dhe familjarëve të tyre.
Nuk ka dyshim se politika e njerëzve pa integritet është fatkeqësia më e madhe që nis nga familja e shtrihet deri te instancat më të larta të shoqërisë.
Shtrohet pyetja: kush na ka faj që nuk jemi në gjendje t’i tejkalojmë inatet dhe xhelozitë e sëmura, të cilat i manifestojmë përmes sadizmit ekstrem të një klase politike që nuk meriton asgjë?
Duke parë veprimet dhe sjelljet e partive politike dhe të shumicës së deputetëve servilë, që shkelin mbi normat dhe interesin e popullit dhe shtetit, unë skuqem para ekranit televiziv në shtëpinë time.
Edhe një herë po e potencoj: është momenti i fundit që qytetarët të vetëdijesohen dhe të aktivizohen përmes protestave kundër këtyre politikanëve, të cilët janë bërë barrë e rëndë dhe të neveritshme për shoqërinë dhe për shtetin.