Në kulturën fisnore, bajraktarizmi përjashton kompromisin dhe e përjeton atë si dobësi. Në fakt, pa kompromis demokracia nuk funksionon. Kokëfortësia dhe rezistenca shpesh kuptohen si burrëri.
Populli u dha votat, por nuk mund t’ua japë edhe kulturën demokratike. Ata nuk e deshën atë që e meriton presidencën, Vjosa Osmani, por dikë pa merita për të. Këtu dobësohet Kosova. Këtë e dinë ata. Aq u bën.
Sikur të kishin menduar për Kosovën dhe ta kishin kuptuar gjendjen politike globale, zgjidhjen e patën; por ata po luftojnë për të dominuar njëri-tjetrin dhe nuk u intereson shteti.
Vjosa do të bënte mirë të themelonte një parti me këtë emër: “Lidhja Demokratike”. Kjo do të krijonte një lidhje simbolike me partinë e Ibrahim Rugova, të cilën ajo e përfaqëson më mirë se kushdo.
Ne nuk i duam njerëzit e ndritur sa janë gjallë;
ata i duam vetëm kur nuk na prishin më punë.
Kur vdesin, u çojmë lule te varri,
edhe nëse gjatë jetës i kemi urryer.
Tek ne, lavdia fillon vetëm pas varrit. Sepse, para vdekjes, na pëlqen t’i zvogëlojmë, t’i rrëzojmë, t’i asgjësojmë;
pasi të largohen, u ngremë përmendore.
Atëherë nuk na pengojnë më,
prandaj e meritojnë edhe monumentin.
Në shoqëritë fisnore luftohen njerëzit e mëdhenj sa janë gjallë dhe adhurohen pasi vdesin…