Frankensteinët e kohës sonë

Opinione

Frankensteinët e kohës sonë

Nga: Dijana Toska Më: 5 mars 2026 Në ora: 14:54
Dijana Toska

Romani Frankenstein i Mary Shelley nuk ishte thjesht një histori fantastike. Ishte një paralajmërim: kur njeriu krijon diçka pa përgjegjësi morale, krijesa mund të kthehet kundër tij.

Sot, pyetja nuk është letrare.

Është politike. Shoqërore. Kombëtare.

A kemi prodhuar si shoqëri shqiptare figura dhe procese “frankensteinë”?

Monstra që: ndërtohen mbi manipulim emocional, ushqehen me polarizim, rriten mbi ndarje artificiale e përdorin kombin, fenë dhe identitetin si instrument pushteti.

Në fillim të pluralizmit, lindën nga frustrimi kolektiv, nga mungesa e drejtësisë, nga tranzicione të papërfunduara nga plagë që nuk u debatuan kurrë seriozisht.

Por më pas, ata jetuan me logjikën e vet: pushteti për pushtet.

Dhe ne, turma?

Heshtëm. Duartrokitëm. U përshtatëm. Derisa disa u bënë të pakontrollueshëm.

Kur paraja filloi të vendos mbi dinjitetin, njeriu doli nga konturat e qenies humane.

Shoqëritë filluan të masin vlerën e njeriut me pasurinë e tij, të prodhojnë hierarki pa etikë.

Rasti i Jeffrey Epstein nuk është thjesht histori kriminale. Është metaforë globale e një bote ku fuqia monetare krijon rrjete imuniteti moral. Ku elitat mendojnë se janë mbi ligjin. Ku njeriu bëhet mjet.

Ai është shembull ekstrem i një fenomeni që ekziston në forma më të vogla edhe tek ne:

kur interesi financiar zëvendëson ndërgjegjen, lindin monstrat Frankenshtajne te politikës.

Frankensteizmi fetar!

Në mungesë të autoritetit moral, disamonstra u shndërruan në autoritet absolut.

Si ndërmjetës zunë vendin e Zotit.

Dhe aty lindi: manipulimi, radikalizmi, instrumentalizimi i besimit për pushtet.

Pedofilia, terrorizmi, “xhihadi” i keqinterpretuar, dhuna në emër të besimit, nuk janë fe. Janë deformim, abuzim dhe dehumanizim i saj.

Kur kleriku ngrihet mbi mesazhin, lind monstra frankenshtajne fetare.

Kur institucioni fetar nuk pastrohet nga brenda, ai bëhet terren për pushtet, jo për paqe.

Si shoqëri nuk ndërtuam etikë institucionale. Ndërtuam figura interesi të ngushta.

Drejtësia çaloi. Kur kërkohej debat, heshtëm nga frika. Na mungoi edukimi kritik.

Normalizuam të keqen duke demonizuar individë.

Prodhuam individë më të fortë se institucionet. Institucione që nuk guxuan të flasin.

Nuk debatuam sepse paraja dirigjoi dialogun e vet shoqëror e mediatik.

Dhe kështu, për tridhjetë vjet tranzicion, nuk ndërtuam një rezistencë morale.

U futëm me dashje në një rreth vicioz frankensteinist.

Sot, Shqipëria vuan nga monstrat e saj dhe nuk po arrin të ndërtojë një sistem drejtësie të besueshëm.

Sot, Kosova shpesh ngec në lojëra pushteti që e bëjnë të vështirë konsensusin institucional.

Sot, në Maqedoninë e Veriut, shqiptarëve u cenohen të drejtat legjitime, ndërsa monstrat politike e akademike heshtin përballë sfidave kombëtare.

Këto nuk janë thjesht kriza politike. Janë pasoja të krijesave që vetë i kemi ndërtuar dhe toleruar.

Rasti i Jeffrey Epstein duhet të jetë mësim edhe për frankensteinët tanë lokalë.

Sepse asnjë pushtet, asnjë pasuri, asnjë rrjet ndikimi nuk është mbi:

- drejtësinë, njerëzoren, ligjin dhe etikën,

Historia ka treguar se çdo krijesë që ndërtohet mbi arrogancë morale, bie nga pesha e vet.

A ka shpresë?

Po.

Por vetëm nëse: Institucionet bëhen më të forta se individët. Debati bëhet kulturë, jo luftë. Edukimi kritik zëvendëson adhurimin e figurave. Feja rikthehet në përulësi. Paraja rikthehet në mjet, jo në zot.

Monstrat Frankenshteiste nuk zhduken vetë. Ata minimizohen kur shoqëria ndërton etikë.

Në fund, problemi nuk është se kemi prodhuar krijesa të tilla.

Problemi është se shpesh i kemi ushqyer me frikën, heshtjen dhe kompromiset tona.

Dhe nëse nuk ndërtojmë një rezistencë morale, nesër mund të zgjohemi në një botë ku krijesat sundojnë krijuesin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat