Kosovës i duhen edhe sot heronj si Albini; i duhen heronj derisa Kosova të ketë armiq, tradhtarë dhe politikanë të korruptuar, hajna e zullumqarë.
Aktual edhe sot, po sjell një shkrim timin të para 7 viteve me titull “Albin Kurti, Kosova dhe Shqipëria” (Durrës, 23 nëntor 2019).
Fitoren e Albin Kurtit në Kosovë nuk e dëshironte vetëm Serbia e Rusia, por as PAN-i dhe as mafio-oligarkia korruptive në Kosovë, madje as politika në tërësi, përfshirë edhe atë në Shqipëri. Mirëpo qëndresa, përkushtimi, serioziteti, ndershmëria, guximi dhe vizioni i Albin Kurtit për politikën, demokracinë, interesat kombëtare dhe Bashkimin Kombëtar e kanë bërë realisht Albin Kurtin politikanin numër një për të gjithë shqiptarët. Në Shqipëri, opinioni për Albinin është i tillë sa shumëkush shpreson që edhe Shqipërisë i duhet një si Albini, pasi pothuajse e gjithë klasa politike në Shqipëri ka dështuar si në aspektin juridik, demokratik dhe kombëtar.
Po ta shikojmë atë që unë kam konstatuar, sidomos që nga fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë, duke parë edhe sondazhet për Bashkimin Kombëtar, ku 75% e të pyeturve në Shqipëri janë pro Bashkimit Kombëtar, kjo është në një masë të madhe falë fitores që realizuan shqiptarët e Kosovës dhe asaj që arriti Albin Kurti në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 në Kosovë.
Ndërsa fakti që përqindja në Kosovë pro Bashkimit Kombëtar ka pësuar rënie është diçka që askush nuk e priste. Por kjo ka arsyen e vet, e cila është kjo: opinioni kosovar, duke parë joseriozitetin e Shqipërisë dhe pasinqeritetin e kryeministrit Edi Rama, i cili më shumë u afrua me Beogradin sesa me Prishtinën, pra duke anashkaluar Kosovën, filloi ta trajtojë Kosovën si çiflig të tij për interesa personale.
Kosova nuk ka troje serbe për t’i këmbyer ato me trojet shqiptare të Preshevës.
Kosova nuk e do Bashkimin Kombëtar me Kosovë të ndarë, duke ia dhuruar Serbisë trojet më të mira, më të pasura dhe jetike minerare e ujore.
Kosova e do Bashkimin Kombëtar të të gjitha trojeve shqiptare, por jo pa Mitrovicën, pa Ujmanin, pa Trepçën dhe jo me “mini-shtetin” e komunave serbe brenda Kosovës.
Opinioni në Kosovë është shumë i ndjeshëm për çështjen kombëtare dhe atë e kanë shqiptarët e Kosovës si qëllim parësor e kryesor.
Kosova, kohët e fundit, dhe Albini kryesisht, u përballën me diçka të cilën nuk e prisnin nga kryeministri aktual i Shqipërisë.
Kosova dhe Shqipëria janë vëllezër traditash, gjuhe e gjaku dhe nuk është as logjike që Shqipëria të ulet, të pajtohet, të bisedojë dhe të hartojë plane, ide e strategji me armikun e vëllait të vet dhe në dëm e kundër vëllait të vet, me armikun e Kosovës që është Serbia, pa pyetur, pa u konsultuar dhe pa marrë pëlqimin e Kosovës.
Ky është një zhgënjim i madh dhe këtë nuk e ka pritur kurrë Kosova, që kjo t’i vijë nga Shqipëria, ku pa bërë një Shengen ndërshqiptar, pa një integrim të mirëfilltë gjithëdimensional Shqipëri-Kosovë, të kërkosh një integrim apo bashkim në një union shqiptaro-sllav, dhe aq më keq akoma kur prioritet i këtij unioni t’i jepet nga Tirana Serbisë, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Kosova sot është shtet i pavarur dhe nuk është as krahinë e Serbisë, as protektorat i Shqipërisë.
Pra, marrëveshja për mini-Shengenin e vendos Kosovën nën një patronazh të Tiranës, por nën Serbi, pasi edhe harta e mini-Shengenit, sipas Beogradit, e ka të fshirë Kosovën si shtet dhe të përfshirë brenda Serbisë.
Për herë të parë në historinë e shqiptarëve, që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, është Albin Kurti ai që po punon për ta ngjallur dëshirën, vullnetin dhe vizionin e rilindasve shqiptarë dhe për ta realizuar qëllimin, dëshirën, sakrificat dhe ëndrrën e shqiptarëve për ta pasur shtetin e tyre kombëtar të bashkuar.
Edhe Marshimi për Bashkim, që do të mbahet në Tiranë më 28 Nëntor 2019, është më se i drejtë si vazhdimësi e vullnetit të patriotëve shqiptarë që shpallën pavarësinë më 28 Nëntor 1912 dhe nuk është ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë, por do të jetë manifestimi më i mirë festiv i bërë ndonjëherë në Shqipëri. Është edhe festë, por edhe protestë njëkohësisht kundër të këqijave aktuale të politikës shqiptare, e cila e ka lënë Shqipërinë të fundit në rrugën e zhvillimit, progresit dhe integrimit. Është një marshim për bashkimin e vlerave, kauzës dhe integrimit brendashqiptar, por edhe një kujtesë dhe protestë kundër padrejtësive të Europës, e cila padrejtësisht i ndau shqiptarët dhe trojet shqiptare në vitin 1913.