Kjo javë në hapësirë

Shkencë & Teknologji

Kjo javë në hapësirë

Më: 16 prill 2021 Në ora: 16:30
Helikopteri i Marsit

Fluturimi i parë i një helikopteri të NASA-s në një planet tjetër do të duhet të presë të paktën deri javën e ardhshme, thanë shkencëtarët. Agjencia amerikane e hapësirës tha se do të instalojë përsëri programin kompjuterik të helikopterit Ingenuity pas shqetësimeve të ngritura gjatë një prove.

NASA e quan eksperimentin me minihelikopterin po aq historik sa edhe fluturimin e parë të suksesshëm të realizuar nga "Vëllezërit Wright", në vitin 1903, në Karolinën e Veriut

Fluturimi historik i minihelikopterit do të realizohet 55 milion kilometra larg Tokës, dhe do të drejtohet nga shkencëtarët në planetin tonë.

Deri tani, NASA nuk ka thënë asgjë se kur do të bëhen fluturimet e helikopterit Ingenuity.

Agjencia festoi ndërkohë 20 vjetorin e sondës orbitale Mars Odyssey, me publikimin e imazheve termike të dunave të rërës marsiane ku bluja tregon temperaturat e ulta ndërsa e kuqja të lartat. Kamerat e sondës i morën fotografitë e Marsit në fillimit të vitit 2000.

Një lajm tjetër, Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë emëroi komandantin e ardhshëm të Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, astronautin francez, Thomas Pesquet, si Ambasador të Vullnetit të Mirë. Pesquet u emërua më 12 Prill, që ishte Dita Ndërkombëtare e Fluturimeve të Hapësirës. Ai thotë se ai ka parë qartë nga hapësira efektet e ndryshimit të klimës në Tokë.

"Kur e shikon këtë me sytë e tu, atëherë përpiqesh të gjesh një mënyrë për të vepruar që gjërat të bëhen më mirë dhe për të ndihmuar këtë anije të hapësirës, Tokën, të fluturojë për aq kohë sa të jetë e mundur dhe në formën më të mirë të mundur për të gjithë ekuipazhin", tha astronauti.

OKB-ja thotë se e emëroi astronautin falë punës së tij për të rritur ndërgjegjësimin mbi efektet e ndryshimit të klimës në bujqësi. Pesquet pritet të kthehet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës javën e ardhshme me një kapsulë të kompanisë SpaceX, që do të shënojë partneritetin e parë ndërkombëtar në bordin e një anijeje komerciale të hapësirës.

Ndërkohë, në Teksasin Perëndimor, kompania private e fluturimeve hapësinore Blue Origin, në pronësi të themeluesit të firmës Amazon, Jeff Bezos, nisi me sukses mjetin e saj nënorbital New Shepard. Mjeti e merr emrin nga amerikani i parë në hapësirë, Alan Shepard, por kompania thotë se do ta përdorë atë për fluturime të shkurtra mbi Teksas. Si raketa ashtu edhe kapsula u ulën pa probleme në shkretëtirë.

Një tjetër lajm këtë javë: Kalifornia, NASA dhe miliarderi Michael Bloomberg po bashkohen kundër ndryshimit të klimës. Partneriteti përfshin kompaninë satelitore, Planet, dhe synon të identifikojë ndotësit më të mëdhenj të gazit të dëmshëm, metan, që shkakton efektin serë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat