Dhjetëra të proceduar për protestën e djeshme në Shkodër

Shkodra

Dhjetëra të proceduar për protestën e djeshme në Shkodër

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 10:48
Foto Ilustrim

Dhjetëra persona janë proceduar penalisht nga Policia e Shkodrës, pas tubimit të djeshëm në këtë qytet.

Midis të procedurave janë edhe dy zjarrfikës, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Policia thotë se zjarrfikësit ishin në shërbim dhe kanë reaguar me vonesë pas njoftimit të bërë nga Salla Operative për të ndërhyrë në shuarjen e zjarrit para godinës së një subjekti politik.

Njoftimi

Organizuan tubim të paligjshëm, procedohen penalisht 8 persona.

Procedohen penalisht për shkak të moshës 17 minorenë, për shkatërrim prone.

Procedohen edhe 21 shtetas të tjerë, për pjesëmarrje në tubime të paligjshme. Gjithashtu procedohen penalisht edhe dy punonjës të zjarrfikëses së Bashkisë Shkodër, për shpërdorim detyre.

Më datë 12.12.2020, rreth orës 11:00, në qendër të qytetit të Shkodrës është organizuar një tubim i paligjshëm. Gjatë marshimit një grup të miturish kanë thyer disa banderola në sheshin “Nënë Tereza” dhe kanë tentuar të kryejnë veprime të dhunshme, por janë penguar nga punonjësit e Policisë. Nga sendet e forta dhe lëndët piroteknike të përdorura nga këta persona është dëmtuar një punonjës policie.

Më pas, pjesëmarrësit në tubim janë shpërndarë në disa grupe dhe drejtime të ndryshme. Një grup personash është drejtuar te selia e një subjekti politik. Disa persona të mitur kanë ushtuar veprime të dhunshme duke thyer e shkatërruar xhamat e dyert dhe më pas kanë nxjerrë dhe djegur orenditë që ndodheshin brenda godinës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve, në bazë të pamjeve filmike, kanë proceduar penalisht 17 minorenë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu janë proceduar si organizatorë të kësaj proteste, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme shtetasit V. A., A. S., A. Q., Z. Gj., S. H. , N. M., L. M. dhe I. Q.

Njëkohësisht janë proceduar për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” edhe 21 shtetas të tjerë.

Po në vijim të veprimeve janë proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre”, dy punonjës të repartit zjarrfikës, shtetasit T. M. dhe R. B., të cilët ishin në shërbim dhe kanë reaguar me vonesë pas njoftimit të bërë nga Salla Operative për të ndërhyrë në shuarjen e zjarrit para godinës së një subjekti politik.

Policia e Shkodër apelon për të gjithë prindërit që të mos lejojnë fëmijët të marrin pjesë në tubime dhe të përfshihen në veprime të dhunshme pasi në radhë të parë rrezikojnë jetën e tyre. Gjithashtu apelon për të gjithë qytetarët dhe organizatorët që të mos organizojnë dhe marrin pjesë në tubime të paligjshme, aq më tepër në këtë kohë pandemie sepse është rrezik i madh për shëndetin e qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat