Të gjithë në emër të “sovranit”!

Shqipëria

Të gjithë në emër të “sovranit”!

Nga: Dukagjin Hata Më: 30 tetor 2021 Në ora: 14:56
Dukagjin Hata

Në arenën politike shqiptare gladiatorët janë ende në fazën e pozimit dhe turmat infatile, të entuziazmuara nga spektakli i radhës, presin të mallëngjyer shfaqjen e protagonistëve zulmëmëdhenj, me ushta të ndryshkura nga mbajtja për një kohë të gjatë në duar. Basha dhe Berisha e kanë shpallur tashmë “duelin”, në mënyrë kaotike, pa rregulla ‘kalorsiake”, ndërkohë që Rama aktron sipas mënyrës së tij të rafinuar dhe fërkon duart nga kënaqësia dhe Meta, në kapërcyll të sharmit folklorik atdhetar, tashmë ka zgjedhur të jetë i matur dhe gjakftohtë. Të gjithë flasin në emër të “sovranit”, por ky i fundit ka tridhjetëvjet që ndihet i braktisur dhe i zhgënjyer.

Nuk themi ndonjë gjë të re, kur thjeshtë konstatojmë faktin se midis pushtetit ekzekutiv dhe popullit është vendosur një muranë e trishtë dhe e padepërtueshme, që shkon deri në shurdhëri. Qeveria noton në luks, drita dhe neonë të kushtueshëm, palma, ornamente të tejkushtueshme, oferta satelitësh e ornamente të tjera, pjesë e “rilindjes urbane”, që shpërthen luksin e shfrenuar ndër qendrat e metropoleve dhe bizneset qeveritare, ndërkohë që periferitë, në gjysëmerrësirë, për shkak të ndëprerjes së enegjisë nga pamundësia e pagesës, shfaqin një peizazh migjenian dhimbje e braktisje që të ther në zemër e në shpirt.

Besoj se keni dëgjuar të thuhet shpesh, se politikanët sapo marrin pushtetin dhe karriget e tij nuk pyesin më për popullin! Me të drejtë mendohet e thuhet kështu, sepse vetë realiteti e ka treguar, se politikanët sapo ja hypin pushtetit, jo vetëm ndërrojnë numrat e celularëve, por edhe sjelljet e veshjet e tyre, ecjen dhe gjestet, lukun, gjuhën e gjithçka që nuk e kishim parë më përpara tek ata. Madje ndryshojnë aq shumë sa që, dhe rinisin adoleshencën e tyre të re.
Bëhen si viça të dhjamosur dhe mendjet i shtegëtojnë diku larg në ndonjë pyll a shpellë, ku kanë fshehur thesaret e grabitura, duke mbetur shpirtzbrazur krejt.
Dhe ne çuditemi!!...Çuditemi, se si u shkëputën kaq shumë këta njerëz nga populli?!!...

Pyesim, sepse harrojmë të thellohemi, se a kanë qënë ndonjëherë këta njerëz të lidhur me popullin? Me hallet e problemet e tij? A kanë dalë ndonjëherë jashtë interesave të tyre dhe në mbrojtje të ndonjë individi apo grupi këta njerëz që na dalin mbi kryet tona? Ku ishin dhe në ç'pozicione kur Ti vuaje konfliktin, padrejtësinë, papunësinë, vendimin e padrejtë, dhunën dhe mosekzistencën?...

Përgjigjet e këtyre pyetjeve të çojnë tek përfundimi, se këta njerëz asnjëherë nuk kanë qënë pjesë e vuajtjes popullore, edhe pse pjesë e "vuajtjes" së tyre për pushtet!
Realiteti po ashtu, ka treguar se kanë qënë pjesë e prapaskenave të pushtetit dhe mekanizmave të tij, për të goditur e denigruar luftëtarët e vërtetë, duke i shantazhuar e veshur me opinione e epitete, si të ishin barbarët, injorantët dhe sherrxhinjtë e kësaj kohe "demokratike".

Dhe tani, të zënë ngushtë në luftën e radhës për “territore”, janë bërë emocionalë, të zhytur në sedilet e makinave të blinduara, të mbrojtur prej badiguardëve dhe të shfaqur përnatshëm, zhurmshëm, në të gjitha kanalet e televizioneve si çudibërës, që iu qanë shpirti për hallet e popullit!

Ky eshte pushteti i djallëzive, që na shqetëson për faktin se njerëzit e tij janë mjeshtëra në zotërimin e teorisë së turmës dhe artit të tyre të mashtrimit!

E shkatërruan kohezionin social të natyrshëm (punën, organizimin e prodhimit, shkollën, moralin dhe ushtrinë), që mbante në harmoni shoqërinë shqiptare dhe ndërtuan mekanizmat e djallit, teorinë e përbindëshave dhe frikën si lëndë për ta mbajtur popullin të ndarë në dy grupe të mëdha.

Këtë të ashtuquajtur luftë kundër krimit, trafiqeve, korrupsionit dhe terrorit, e kemi përpara syve dhe mendjes çdo ditë e përnatë, si fokus e dritë - shprese të ekzistencës tonë.

Në këtë dështim të dukshëm socio - politik dhe ekonomik, pasi politika shqiptare akuzoi dhe dështoi me kartën e antikomunizmit, u bë elita sunduese por e pasigurtë. Në këtë situatë dëshpëruese për të vetëquajturit politikanë të këtyre tre dekadave të fundit, shohim të investojnë sërish paratë e popullit (shpenzime pafund), duke shpikur fajtorin dhe "armikun e ri", si një mjet të preferuar dhe në fakt si mjetin e vetëm, për të krijuar bashkësi shoqërore (elektoratin).

Edhe me sy nudo, mjafton vetëm pak vëmendje për të dalluar rrekjen e politikës dhe të sharlatanëve politikanë për të krijuar një imazh armiku si kërcënim për shoqërinë, sa për ta mbajtur të bashkuar e për ta futur në kutitë e tyre të votimit të radhës. Dhe ky armik, herë pandemia e herë kriza energjitike, herë të tjera prodhime ekstra të radhës, është justifikimi dhe alibia për vjedhjet galopante, tenderat sekretë ku përvetësohen miliona euro, me anë të kompanive ofshore dhe inekzistente.

Pra, populli dhe politika me pushtetin e saj, tashmë janë në dy kampe krejtësisht kundërshtare: Populli i braktisur dhe i zhgënjyer nga njëra anë, dhe politika që pasi ka shpartalluar Lazaratin (akt që duhet përshëndetur), e kthyer Shqipërinë në një superlazarat gjgand, duke kërcënuar normalitetin me kërcënimet, vrasjet, trafikun që nuk ka të reshtur dhe nga ana tjetër me padrejtësinë dhe sherrin e përditshëm parlamentar, por dhe policinë që merret me pjesën që lufton për mbijetesë!

Të braktisur dhe të zhgënjyer nën petkun e “sovranit”, njerëzit e këtij vendi, shtresat në nevojë, të papunët, punëtorët me paga qesharake, personat me ndihmë sociale, romët, ballkano-egjyptianët, të shpronësuarit nga sipërmarrjet publike, që nuk kanë marrë paratë e shpronësimit, gratë pa burra e të mbetura në mëshirë të fatit, nënat me fëmijë e pa kryefamiljarë, që nuk dinë se ku të trokasin për bukën e përditshme, të gjithë këto tani presin që në zgjedhjet e radhës, që nuk dihet se kur do të jenë, t’iu trokasin në derë dhe t’iu kërkojnë edhe një herë votën, por ata tashmë shpresoj të jenë vetëdijësuar, që me votën e dhënë prej duarve të tyre të mos riciklojnë pushtetin e babzëzitur që ata t’i lerë rishtas me gisht në gojë!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat