Hasude e pjekur

Ushqime

Hasude e pjekur

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 21:43
Foto ilustrim

Përbërësit për një tepsi të vogël (diametër 20 cm) : 250 g niseshte, 200 g sheqer ose një filxhan çaji, 1 litër ujë, 1 bustinë vanilje dhe 70 g gjalpë.

Për ta lyer sipër para pjekjes ka disa alternativa: 1) pak kos, 2) një e verdhë vezë e holluar me pak ujë ose qumësht, 3) sheqer kafe.

PËRGATITJA: 

I hedhim përbërësit në një tenxhere dhe i vendosim në zjarr mesatar. Trazojmë vazhdimisht me një lugë druri. Duket sikur nuk po ndodh gjë, po ne nuk mërzitemi, vazhdojmë trazimin. Përzierja do fillojë të trashet copa copa si xhelatine. Vazhdojmë përziejmë derisa masa të trashet e gjitha dhe të shkëputet nga anët e tenxheres. Aty afër momentit kur ndodh kjo bëhet pak më i vështirë trazimi, por mos u dorëzoni.

Lyejmë me pak vaj tepsinë dhe e hedhim masën në të. E sheshojmë me një lugë ose spatul. Hedhim sipër kos ose vezë ose sheqerin kafe sipas preferencave. E pjekim rreth 40 minuta në 220 gradë. Presim të ftohet para se ta hamë, se kur del nga furra është si llavë e nxehtë. Mua më pëlqen paksa e ngrohtë me cipën kërce sipër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat